RTV AHIRETI
Artikuj

Haxhi dhe qëllimet e tij

haxhi-dhe-qellimet-e-tij

E falënderojmë Allahun xh.sh i cili bëri të obligueshme për robërit e Tij adhurime me të cilat fisnikron shpirtin e besimtarëve.

Shkruan: Artan Musliu

Haxhi ngërthen në vete anën shpirtërore ku njeriu shpërngulet larg nga familja dhe vendlindja e tij vetëm e vetëm për të përmbushur këtë detyrë dhe shtyllë të Islamit, si dhe për të forcuar lidhjen me Krijuesin e tij, trupore siç është e tërë ajo lodhje dhe mund në përpjekje për të lëvizur dhe depërtuar në mesin e atyre miliona njerëzve në mënyrë që të kryejmë obligimet e haxhit, materiale siç është kostoja e lartë e haxhit që është prezent në ditët tona.

Çdonjëri prej nesh mund të ketë lexuar shumë rreth kësaj teme por pa dyshime se ata që e kanë pasur fatin që të jenë mysafiret e përzgjedhur të Mëshiruesit xh.sh këtë e kuptojnë me së miri pasi që kanë pasur fatin që të jetojnë me atë që kanë lexuar, dëgjuar apo parë në mjetet e informimit, që të jetojnë me jetën e Ibrahimit a.s, jetën e këtij të dashuri të Allahut që na quajti mysliman dhe të djalit të tij Ismailit a.s, që paraqet më së miri sjelljen dhe dëgjueshmërinë e djalit ndaj prindërit edhe nëse është në pyetje vetëflijimi, me jetën dhe sakrificën kulmore të një nëne për djalin e vetë, me sakrificën e Haxheres r.a n kërkim të ushqimit për foshnjën e saj, me një fjalë me përbërësit kryesorë të një familjeje, rolet e tyre dhe raportet në mes vete dhe me Zotin e tyre si Krijues të vetëm siç paraqitet kjo tek sakrifica e Ibrahimit a.s kur e la djalin dhe bashkëshorten në një luginë të pabanuar dhe të panjohur në atë kohë, por ai e bëri këtë si përgjigje dhe dëgjueshmëri ndaj Zotit të tij edhe pse në shikim të parë dukej si humbje dhe mbytje e familjes por ai nuk dyshonte se pas kësaj fshihej urtësia e Allahut, gjë të cilën në të shumtën e rasteve njeriu nuk mund ta kuptojë derisa nuk jetësohet tërësisht, me sakrificën e Haxheres r.a e cila u qetësua vetëm pasi kuptojë se qëndrimi i saj në atë shkretëtirë me foshnjën e vetë ishte urdhër nga Allahu xh.sh dhe se fundi me sakrificën e Ismailit a.s i cili pranojë që të behej kurban për të realizuar edhe një urdhër që i ishte dhënë babait të tij nga ana e Allahut xh.sh, pra haxhi që nga fillimi i tij e deri në ditën e gjykimit i tëri është një sakrifice që e bënë njeriu vetëm për Allahun xh.sh, Krijuesin e tij.

Haxhi në aspektin etimologjik do të thotë: Qellim, Synim i diçkaje apo i dikujt, ndërsa në aspektin terminologjik të legjislacionit Islam donë të thotë: Vizitë e një vendi të caktuar, në kohë të caktuar dhe me vepra, detyra apo obligime të caktuara. E nëse e zbërthejmë këtë definicion na del se me vizitë të caktuar është për qëllim vizita që i bëhet Qabesë, me kohë të caktuar janë synuar muajt e haxhit e që janë: Shewali, Dhu Al-Kiedeh, dhe dhjetë ditët e para të Dhu Al-Hixheh, e me obligime të caktuara është për qellim obligimet e haxhit siç janë: Tavafi (rrotullimi) rreth Qabesë, Arafati, Ihrami etj, me qellim (nijet) kryerjen e haxhit.

Obligueshmëria e Haxhit është bërë me Kur’an, Sunnet, dhe Ixhma (unanimiteti i dijetarëve të kohës rreth një çështje). Nga Kur’ani për obligueshmërine e Haxhit kemi fjalën e Allahut xh.sh” Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.”-Al-Imran:97, ku në këtë ajet shihet qartë obligushmëria e haxhit, si dhe ajeti tjetër ”E kryeni haxhin dhe umren për hir të All-llahu” Al-Bekare:196, prej Sunnetit kemi hadithin e Pejgamberit a.s ”Është ngritur Islami mbi pesë shtylla..” e një nga këto shtylla është haxhi, si dhe hadithin tjetër që e transmeton Imam Buhariu nga Ebu Hurejre r.a ku Pejgamberi a.s thotë:”O ju njerëz, Allahu ua bëri obligim haxhin prandaj kryeni”, si dhe padyshim vetë praktikën e Pejgamberit a.s dhe të shokëve të tij në kryerjen e haxhit, si dhe ixhmanë e të gjithë dijetarëve te të gjitha kohërave në obligueshmërinë e haxhit për atë që ka mundësi një herë në jetë.

Haxhi si shtyllë e pestë mbi të cilën është ngritur Islami është bërë i obligueshëm nga fundi i vitit të nëntë pas hixhretit siç potencohet nga shumica e elitës më të spikatur të dijetarëve të umetit tonë siç janë Ibn Tejmijeh, Ibn Kajim e të tjerë të cilët e potencojnë se nuk ka dyshime në mesin e dijetarëve se obligueshmëria e haxhit është bërë nga fundi i vitit të nëntë pas hixhretit me zbritjen e ajetit të lartpërmendur të kaptinës Al-Imran” Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim” dhe se Pejgamberi a.s nuk është vonuar në kryerjen e këtij obligimi nga ana e Allahut xh.sh vetëm se me arsye e që siç e cekë Ibn Tejmijeh r.a se arsyeja e vonimit deri në vitin e dhjetë ishte zbritja e ajetit pas përfundimit të kohës së haxhit.

Ndërsa prej urtësive të këtij adhurimi kaq madhështorë mund të cekim realizimin e farzit grupor (kifaje) në gjallërimin e Qabesë me adhurime çdo vit në kohë të caktuar.

Qëllimet e Haxhit

Qëllimet e Haxhit janë të shumta dhe është e pamundur numërimi i tyre si dhe është i pamundur kuptimi i vërtetë dhe i tërësishëm i tyre për njeriun, kjo për arsye se disa janë mbajtur të fshehta nga ana e Allahut xh.sh, si dhe për arsyen se shumica e atyre që janë përmendur nuk është se ka ndonjë argument të qartë por janë ixhtihadë (dhënia e mundit nga ana e dijetareve në nxjerrjen e dispozitave fetare për të cilat nuk ka argument të qartë) i dijetarëve, por me lejen e Allahut xh.sh do të mundohemi që të cekim disa prej tyre:

1 – Njëshmëria e Allahut xh.sh dhe sinqeriteti ndaj Tij:

Me të vërtet lexuesi dhe medituesi i ajeteve Kur’anore që kanë të bëjnë me ndërtimin e Qabesë, pastrimin e bazave të saj, lejimin dhe thirrjen që u bëhet njerëzve për haxh, vëren atë lidhshmërinë e domosdoshme në mes të kësaj ngjarje madhore dhe besimit në Allahun Një, duke mos i lënë vend pabesimit ose eventualisht dyfytyrësisë në adhurim dhe besim në Allahun. Thotë Allahu xh.sh ”Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabes): të mos më përshkruajë Mua shok, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde.” Al-Haxh:26, gjithashtu Allahu xh.sh në ajetin tjetër thotë ”Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes – luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di”! Zoti ynë, bëna neve dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit (adhurimit) tanë dhe falna neve, vërtet Ti je që falë shumë, je mëshirues”! Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndyrësirës së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi. E kush largohet prej fesë së Ibrahimit përveç atij që e poshtëron vetveten. Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në botën tjetër ai është njëri prej të lartëve. Kur Zoti i vet atij i tha: “Dorëzohu”! Ai tha: “Iu kam dorëzuar Zotit të gjithësisë” Al-Bekareh:127-131, gjithashtu kjo vërehet edhe në traditën dhe praktiken e të Dërguarit tonë a.s duke filluar që nga thirrja që bëhet në haxh siç transmeton Imam Muslimi nga Xhabiri r.a se Pejgamberi a.s kishte filluar haxhin e tij duke bërë thirrje ”Te jemi përgjigjur ty o Zoti ynë, Ty të jemi përgjigjur, të jemi përgjigjur se s’ka shok që të bëhet Ty, me të vërtet falënderimi dhe mirësia të takon Ty si dhe mbretëria, Ty nuk të bëhet shok”, si dhe hadithi tjetër që e transmeton Ibn Maxheja ku Pejgamberi a.s kishte kërkuar nga Allahu sinqeritet të plotë duke thënë ”O Zot haxhin, pa dyfytyrësi dhe emër në të” po ashtu leximi i dy kaptinave të njëshmërisë praktike dhe mësimore (Al-Kafirun dhe Al-Ihlas) në namazin pas tavafit, përmendja e Safas dhe Merwas, duatë, ku duhet që robi të i drejtohet Allahut xh.sh me sinqeritet, shpresë, besim, frike, respekt siç kishte ndodhur kjo me Pejgamberin a.s në gjashtë vende kryesore gjatë haxhit: Në Safa, Merwa, Arafat, Muzdelife si dhe gjatë hedhjes së guralecëve. Sepse me të vërtet shpenzimi i gjithë asaj pasurie dhe largimi nga familja, vendlindja, komoditeti që e posedon njeriu drejt një rruge të panjohur në shkretëtirë dhe rreziqet e shumta që mund t’i kanoseshin njeriut siç ishin më parë, mund të bënin që shumë lehtë shejtani të fuste diç nga këto në zemrën e besimtarit, prandaj lum për ata besimtar të cilëve Allahu xh.sh ua ka mundësuar që të përjetojnë këto kënaqësi të Allahut xh.sh e që e kanë hequr pluhurin nga zemrat e tyre duke i përjetuar këto adhurime kaq fisnike në atë vend po aq fisnik, duke e mbjellë dhe ngulitur thellë në zemrën e tyre besimin në Allahun xh.sh një dhe të pa shok, duke e ditur se ashtu siç është Qabeja shtëpia e Allahut xh.sh në tokë, ashtu duhet të jetë edhe zemra shtëpia e Allahut xh.sh në trupin e njeriut, ashtu siç rrotullohen rreth Qabesë vizitoret ashtu duhet që në zemrën e besimtarit të rrotullohet frikë-respekti ndaj Allahut xh.sh, dashuria dhe sinqeriteti ndaj Tij subhanehu we teala.

2 – Devotshmëria

Të gjitha adhurimet kanë për qellim në mesin e shumë qëllimeve të tyre edhe konkretizimin e plotë të ‘’Devotshmërisë”e po ashtu edhe haxhi siç vërehet në ajetin e Kur’anit ”E kryeni haxhin dhe umren për hir të All-llahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therni për kurban) çka t’ju vijë më lehtë prej kurbaneve, e mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani vendin e caktuar. Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban. E kur jeni të sigurt, ai që bënë umren para haxhit (duhet therë) një kurban që i vjen më lehtë, mirëpo nëse nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit e shtatë ditë kur të ktheheni, këto janë dhjetë ditë të plota. Ky është rregull për ata që nuk e kanë familjen pranë xhamisë së shenjtë. Pra kini dro All-llahun dhe dijeni se All-llahu është ndëshkues i rreptë.” Al-Bekareh:196, apo ”Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde.” Al-Haxh:37

3 – Të lartësuarit e emrit të Allahut xh.sh

Gjithashtu një prej qëllimeve të haxhit është edhe të lartësuarit e emrit dhe përkujtimit të Allahut xh.sh e këtë më së miri mund ta vërejë çdo njeri prej nesh nëse vetëm pak ndalon dhe mediton në ajetet e Kur’anit që kanë të bëjnë me haxhin ku pothuajse në fund të secilit ajet vjen edhe urdhri për përkujtim dhe përmendje të Allahut xh.sh siç është ajeti”Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). E kur të derdheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni All-llahun në vend të shenjtë (Muzdelife), përmendeni Atë ashtu si u ka udhëzuar Ai, sepse më parë ishit të humbur. Pastaj zhdirgjuni andej kah zhdirgjen njerëzit, kërkoni All-llahut falje, se All-llahu fal e është mëshirues. E kur t’i kryeni detyrat tuaja, përmendeni All-llahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fortë. Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë”! Për të nuk ka asgjë në botën tjetër. E ka prej tyre të atillë që thotë: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr”! Të tillët e kanë shpërblimin nga ajo që e fituan. All-llahu është i shpejtë në llogari.” Al-Bekareh:198-202, apo ajeti tjetër ”All-llahun përmendeni në ditët e caktuara (në ditët e bajramit). Kush ngutet (të largohet prej Mines) për dy ditë, nuk bën mëkat, po edhe ai që e shtyn (edhe për një ditë) nuk bënë mëkat, këto rregulla janë për atë që donë të jetë i përpiktë. Pra, kini kujdes All-llahun dhe dijeni se ju te Ai tuboheni.” Al-Bekareh:203, gjithashtu edhe fjala e Pejgamberit a.s ku thotë ”Me të vërtet tavafi rreth Qabesë, ecja mes Safas dhe Merwas si dhe hedhja e guralecëve është bërë për të lartësuar përmendjen e Allahut xh.sh në tokë” -Transmeton Tirmidhiu, prandaj duhet që njeriu të bëjë këtë edhe me zemër edhe me gjuhë por edhe me zë të lartë sepse kështu u këshillua Resulluhahi a.s nga Xhibrili a.s.

4 – Praktikimi i plotë i traditës se Pejgamberit a.s

Nuk ka asnjë nga adhurimet që të mundëson praktikim më të plotë të traditës së Pejgamberit a.s siç është Haxhi, sepse haxhiu është në mesin e një tërësie të plotë veprimesh të cilat kryhen në një mënyrë aq precize e të çuditshme në shqim të parë saqë po të mos ishte Resulullahi a.s që të na e mësonte do të ishte e pamundur të mësuarit dhe kryerja e haxhit vetëm me të lexuar por myslimani edhe sot duhet të jetë siç ishin Sahabet r.a ku transmetohet nga Xhabiri r.a i cili duke e përshkruar haxhin e tij të parë me Pejgamberin a.s thoshte se nuk bënte asnjë veprim vetëm se vepronim siç vepronte a.s, po ashtu fjala e Omerit r.a kur erdhi për të puthur gurin e zi më parë ju drejtua duke i thënë se ”Vallahi e di mire se ti s’je asgjë më shumë se një gur që nuk më bënë as dëm e as dobi, dhe po të mos e kisha parë Pejgamberin a.s duke të puthur nuk do ta bëja kurrë”, e ndërsa në anën tjetër shohim Pejgamberin a.s që me guralecë bënë gjuajtjen e shejtanit, rrotullimi shtatë herë rreth Qabesë, ecja shtatë herë në mes të Safas dhe Merwas, hedhja e shtatë guralecëve janë gjera që s’mund t’i kuptojë robi i Allahut se pse janë në këtë formë e në veçanti domethënia e numrit shtatë por ai e bënë këtë duke e praktikuar fjalën e Pejgamberit a.s ”Merreni nga unë haxhin tuaj se ndoshta vitin tjetër nuk do të jem me ju” (Transmeton Imam Muslimi).

5 – Kërkimi i mirësive të Allahut xh.sh në tregti:

Siç ka ardhur në hadithin që e transmeton Imam Buhariu nga Ibn Abbasi r.a të ketë thënë se kishte disa tregje në xhahiljet që donin të bënin tregti në sezona por frikësoheshin derisa zbriti ajeti i Kur’anit ”Nuk është gjynah për ju që të kërkoni mirësitë e Allahut”.

6 – Edukimi:

Edukimi i të pasurve me lënien me një anë përfundimisht dallimin dhe krenarinë ndaj të varfërve sepse haxhi i përkujton se para Allahut do të jemi të barabartë ashtu siç jemi në
haxh të gjithë të veshur me dy petka të bardhë dhe asgjë më shumë. Edukim i atyre që nuk kanë durim e kjo duke i mësuar që të kenë durim në at nxehtësi, në atë tollovi duke i kujtuar se sado që të nxitojë nuk do të mund të arrijë më shumë se atë që e ka të caktuar nga ana e Allahut xh.sh.

7 – Të mbështeturit tek Allahu xh.sh

E këtë haxhiu më së miri e kujton dhe e kupton derisa është duke ecur në mes të Safas dhe Merwes kur e kujton Haxherën e cila pasi e pyeti Ibrahimin a.s ”A Zoti yt të urdhëroi që të na lësh këtu” e kur Ibrahimi i tregoj se ishte urdhër nga Allahu xh.sh, ajo i përgjigjet me plot besim të sinqertë dhe mbështetje tek Allahu xh.sh ”Pra nuk do të na humbë”, e për këtë Allahu e ngriti at duke bërë që njerëzit deri në ditën e gjykimit të ecin ashtu siç eci në kërkim të ushqimit për foshnjën.

8 – Mysafir të Mëshiruesit xh.sh

Haxhiu e kupton fare mire se ai tubim aq madhështorë dhe ai numër aq i madh njerëzish në Haxh nuk është bërë nga qeveria, mbreti, presidenti, partia, kryeministri apo shteti por është bërë nga Allahu xh.sh krijuesi i gjithësisë.

9 – Vëllazërimi

Haxhi është koha më e mirë, më e përshtatshme dhe më e lehta që të njihemi me vëllezërit tanë mysliman nga të katër anët e botës dhe të njihemi me problemet e tyre por në të njëjtën kohë edhe të bëjmë shkëmbim përvojash dhe të marrim mësime nga njerëz të ndryshëm me të cilët na bashkon kjo Fe.

Pra haxhi në vete ngërthen dobi duke filluar nga ato personale, shoqërore, trupore e deri tek ato shpirtëroret. Dhe në fund lusim Allahun xh.sh që t’u mundësojë të gjithë myslimanëve shkuarjen në haxh.

Related posts

Çfarë pritet sot nga Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor?

admin

Arabia Saudite nga sot pranon kërkesat për kryerjen e Umres

admin

Kthehet grupi i fundit i haxhive kosovarë

admin