RTV AHIRETI
Pytje & Përgjigje

HUTBE – Obligimet tona ndaj fqinjëve

hutbe-–-obligimet-tona-ndaj-fqinjeve

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (savs), për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Tema e hutbes së sotme është: Obligimet tona ndaj fqinjëve

Se sa e rëndësishme është bamirësia ndaj fqinjit, si atij të afërmit ashtu edhe atij më të largët, më së miri na tregon ajeti i Kuranit, në të cilin Allahu i Madhërishëm bamirësinë ndaj fqinjit e thekson së bashku me besimin dhe me ibadetin ndaj Allahut të Plotfuqishëm

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afëert dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj…” (en-Nisa, 36)

Vëllezër të dashur!

Kush prej nesh i beson Allahut?  – Të gjithë.

E kush prej nesh nuk flet me fqinjin e vet?  – Shumë prej nesh.

Shikoni vëllezër, këto të dyja nuk mund të shkojnë së bashku, sepse nëse i besojmë Allahut siç po themi, atëherë është e pamundur të mos flasim me fqinjin tonë.

Nëse i besojmë Allahut siç po themi, atëherë është e pamundur që fqinji ynë të mos jetë rahat nga gjuha jonë dhe nga duart tona.

Pasha Allahun vëllezër, Pejgamberi savs, gjithmonë e ka folur të vërtetën, dhe ai ka thënë:

“Pasha Allahun, nuk beson, pasha Allahun nuk beson, pasha Allahun nuk beson!!!”Atëherë e pyetën:“Kush, o i Dërguari i Allahut?”Ai tha:“Ai nga dëmi i të cilit fqinji i tij nuk është rahat.”

Pejgamberi savs, gjithashtu, ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai njeri nga dëmi i të cilit nuk është i sigurtë fqinji i tij.”

Vëllezër të respektuar!

Le ta pyesim vetveten se a është fqinji ynë i sigurtë nga gjuha jonë dhe nga duart tona?

Paraardhësit tonë të mirë sa ishin të kujdesshëm ndaj fqinjëve, më së miri do të na tregojë rasti i mëposhtëm:

Transmetohet se një musliman nga gjenerata e parë e muslimanëve ishte ankuar se në shtëpinë e tij kishte shumë minj, andaj e kishin pyetur: Po pse nuk po e sjell një mace.

Ai ishte përgjigjur:Kam frikë se për shkak të maces minjtë do t’i shkojnë fqinjit tim, dhe kështu do t’i bëja atij atë që nuk e dëshiroj për vete!

Vëllezër të dashur!

Ky është Islami, kjo është feja e drejtë, e jo: Fqinjit le t’i ngordh lopa – siç na mësojnë disa ideologji të tjera.

Më tregoi një shok duke më thënë: Para kësaj borës së fundit, duke ecur nëpër fshat, e pashë një xhematli i yni i kishte nxjerrë plehrat dhe ua kishte vënë zjarrin, kurse në oborrin e fqinjëve të tij ishin të shtrira rrobat e bardha, dhe krejt ai tymi shkonte drejtë te rrobat e bardha të lara.

Çka mendoni vëllezër, çka do të thoshte Pejgamberi (savs) në lidhje me këtë?
Çka do të thoshte Pejgamberi (savs), kur të shihte se ne ujërat e zeza i kemi nxjerrë në oborrin e fqinjit?
Çka do të thoshte Pejgamberi savs, kur të shihte se disa nga ne po shkapërderdhim, kurse disa të tjerë mezi po mbijetojnë?

Pejgamberi savs ka thënë: Nuk është besimtar ai që e kalon natën i ngopur, kurse fqinji i tij është i uritur.

Çka do të thoshte Pejgamberi (savs), kur t’i shihte megjët tona dhe muret e mëdha që na ndajnë?

Le ta dimë se është shumë më mirë që me fqinjët të ndërtojmë marrëdhënie sesa mure.

Dhe para se ta përfundoj, do t’i theksoj edhe dy hadithe, të cilët do të na ndihmojnë që jeta jonë të jetë më e mirë edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.

Hadithi i parë: Ebu Hurejre (r.a.), ka deklaruar se Pejgamberi (savs) me një rast i kishte pyetur sahabët:

“Kush don t’i merr nga unë pesë këshilla që sipas tyre të veprojë ose ta mësojë dikën tjetër, i cili do të veprojë sipas tyre?Unë i thash atij: Unë, o i Dërguari i Allahut!

Atëherë Ai më kapi për dore dhe m’i numëroi këto pesë këshilla, më tha:

(1) Ruaju nga ndalesat e Allahut, do të jesh më i devotshmi;(2) Bëhu i kënaqur me atë që të ka dhënë Allahu, do të jesh më i pasuri; (3) Bëhu i mirë ndaj fqinjëve, do të jesh besimtar; (4) Duaje për të tjerët, atë që e don për vete, do të jesh musliman; (5) Mos qeshni shumë, sepse qeshja e shumtë e vdes zemrën.”

Hadithi i dytë: Pejgamberi (savs) thotë:

“Kur fqinji yt nga ti kërkon ndihmë – ndihmoji! – Kur të sëmuret – vizitoje! – Kur t’i ndodh begatia – uroje! Kur ta godet fatkeqësia – ngushëlloje! – Kur të vdesë – Shko në varrim! – Mos e ndërto shtëpinë e lartë, që t’i bësh mbulesë, përveç nëse ai të lejon; – Mos e shqetëso me erë nga tenxherja jote, përveç nëse edhe atij i jep prej saj; – Nëse blesh fruta – jepi prej tyre, e nëse nuk ke mundësi, atëherë futi në shtëpi pa të pa ai, dhe fëmija yt mos të dalë me pemë në oborr, që fëmija i fqinjit ta lakmojë.”

Subhanallah! Shikoni vëllezër bukurinë e Islamit. Ky është Islami i vërtetë, dhe jo ai siç duan disa njerëz ta paraqesin.

Përfundim: O Zoti ynë, kërkojmë mbrojtje te Ti nga fqinji i keq, dhe nga pasuria në të cilën është dënimi ynë, edhe nga fëmija i keq, edhe nga gruaja e cila do të na mplakë para kohe, edhe nga shoku i prishur dhe intrigues i cili me sy na shikon e me zemër na urren dhe nënçmon, i cili nëse na sheh ndonjë të mirë na e fsheh, ndërsa nëse na e sheh ndonjë mëkat na e përhap.

– O Zot, na i prano veprat tona e mira dhe na i fal gabimet dhe mëkatet tona!

– O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

Related posts

Çfarë duhet bërë kur dikush të lë amanet paratë e tij?

admin

A përmendet në Kuran fjala e Teuhidit “La ilahe il-Allah Muhamed Resulullah”?

admin

A ka ndonjë lutje të veçantë për mos ndarje?

admin