RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kovaçevski: Duhet të merren parasysh të gjitha shqetësimet e të gjithë anëtarëve të NATO-s

kovacevski:-duhet-te-merren-parasysh-te-gjitha-shqetesimet-e-te-gjithe-anetareve-te-nato-s

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se shqetësimet e të gjithë anëtarëve të NATO-s duhet të merren parasysh kur bëhet fjalë për anëtarësimin e vendeve të reja në aleancë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Kovaçevski dhe kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin mbajtën një konferencë të përbashkët për media ku folën rreth pikëpamjeve të përbashkëta për çështjet më të rëndësishme me interes për të dyja vendet.

Kovaçevski tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut që nga muaji maj ka dhënë miratim për pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

“Maqedonia e Veriut e mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Si kryeministër, gjatë vizitës time në NATO, unë e përkraha hapur iniciativën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO. Shpresoj për anëtarësim sa më të shpejtë për të dyja vendet, edhe pse në të njëjtën kohë duhet të merren parasysh të gjitha shqetësimet e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Shpresoj se ndalimi i aplikimit do të tejkalohet së shpejti, për çka do të japim mbështetjen tonë të plotë”, tha Kovaçevski.

Sipas tij, anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO është një kontribut për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, veçanërisht në kontekstin e pushtimit ushtarak rus në Ukrainë.

Kovaçevski tha gjithashtu se ushtria finlandeze është në ndërveprueshmëri me standardet e NATO-s dhe për vite me radhë ka mbajtur stërvitje të rregullta dhe të shpeshta ushtarake me NATO-n, si dhe ka marrë pjesë dhe kontribuon në të gjitha misionet dhe operacionet e NATO-s.

Kryeministri maqedonas theksoi gjithashtu këmbënguljen e Finlandës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2019 gjatë presidencës së saj me Këshillin Evropian.

Kryeministrja finlandeze, nga ana e saj, shprehu kënaqësinë që është kryeministrja e parë finlandeze që viziton Maqedoninë e Veriut. Ajo falënderoi kryeministrin e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e tij ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s.

“Maqedonia e Veriut është një mbështetëse e fortë e politikës së dyerve të hapura të NATO-s. Përderisa Rusia po zhvillon luftën e saj brutale kundër Ukrainës, është shumë e rëndësishme të thuhet qartë dhe me zë të lartë se në Evropën e sotme, nuk ka vend apo pjesë për logjikën ruse të sferave të ndikimit”, tha Marin.

Ajo gjithashtu theksoi se vendimi finlandez për të aplikuar për anëtarësim në NATO gëzon mbështetje të lartë nga populli finlandez.

Marin tha se mbështetja për Ukrainën duhet të forcohet duke vendosur sanksione të reja kundër Rusisë dhe përmes unitetit, ndërsa përshëndeti sanksionet e vendosura nga Maqedonia e Veriut ndaj Rusisë.

Kryeministrja finlandeze tha gjithashtu se vendi i saj është një nga mbështetësit më të mëdhenj të zgjerimit të BE-së. Ajo njoftoi gjithashtu mbështetjen e vendit të saj për presidencën e Maqedonisë së Veriut me OSBE-së vitin e ardhshëm.

Gjatë qëndrimit të saj në Shkup, kryeministrja finlandeze do të takohet edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, si dhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi. /aa

Related posts

Vuçiq: Askush nuk do të lejohet të hyjë në BE para Serbisë

admin

Kurti: Nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe gjatë

admin

Liderët e BE-së takohen në Bruksel me kryeministren e re të Italisë, Giorgia Meloni

admin