RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Në Ukrainë është mbjellë 25 për qind më pak tokë sesa vitin e shkuar

ne-ukraine-eshte-mbjelle-25-per-qind-me-pak-toke-sesa-vitin-e-shkuar

Fermerët ukrainas kanë mbjellë rreth 25 për qind më pak tokë sesa në vitin 2021, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

Sipas Markiyan Dmytrasevych, zëvendësministër i Politikës Agrare dhe Ushqimit të Ukrainës, në total 13.5 milionë hektarë ishin mbjellë vitin e kaluar me shumëllojshmëri bimësh.

“Natyrisht ne nuk mund të mbillnim në rajonet Luhansk, Donetsk si dhe pjesërisht në rajonet e Kievit, Chernihiv e Sumy”, tha Dmytrasevych.

Përveç kësaj, toka e pasur bujqësore në Ukrainën jugore, është tani nën kontrollin rus. Kjo zonë prodhon gjithashtu një pjesë të madhe të perimeve.

Një tjetër zyrtar i lartë në Ministrinë e Politikës Agrare, Taras Vysotskyi, tha se më shumë grurë pranvere është mbjellë këtë vit, sesa vitin e kaluar, porse ka rënie të mprehtë në mbjelljen e misrit dhe lulediellit.

Sa u përket të korrave të pritshme, Vysotskyi tha: “Mund të ketë rreth 48-50 milionë tonë drithë. Është më pak se vitet e mëparshme”.

Dmytrasevych dha një parashikim të ngjashëm, duke thënë: “Ne shpresojmë të korrim afërsisht 60 milionë tonë drithëra dhe farëra vajore, pak më shumë se gjysma e asaj që korrëm vitin e kaluar”, shkruan CNN të martën.

Kompania “Maxar Technologies” ekzaminoi imazhet satelitore të zonave bujqësore në Ukrainë dhe arriti në përfundimin se fermerët ukrainas mbollën 30 për qind më pak sipërfaqe pranverore në vitin 2022.

“Maxar” parashikoi se prodhimi i misrit në vitin 2022 do të ulet për 54 për qind dhe prodhimi i lulediellit me 40 për qind krahasuar me sezonin e vitit 2021.

Konflikti ka shkatërruar dhjetëra objekte të depozitimit të grurit në porte dhe në zonat rurale, me rreth 10 milionë tonë tani nën kontrollin rus, ndërsa të tjerat janë shkatërruar nga sulmet me raketa dhe artileri. Në maj, burime të shumta thanë për CNN se forcat ruse po vidhnin pajisje fermash dhe mijëra tonë drithë nga fermerët ukrainas në zonat që ata i kishin pushtuar.

Disa zyrtarë ukrainas thonë se vështirësitë e ruajtjes kanë bërë që fermerët të ndryshojnë të korrat. Marchuk paralajmëroi gjithashtu se mungesa e karburantit mund të pengojë korrjen. Sipas tij, fermerët u përballën me një krizë financiare me interesat për kreditë që u rritën deri në 35 për qind.

“Duhet të arrihet një kompromis për uljen e normës së interesit, në kushtet kur nuk ka eksporte, kur nuk ka kapital qarkullues, është shumë e vështirë të shlyhet kredia me interes shumë të lartë, në krahasim me normat që ekzistonin më parë. Eksportimi i drithërave dhe farërave vajore është komplikuar nga bllokada e Odesas dhe porteve të tjera të Detit të Zi”, ka thënë Marchuk.

Dmytrasevych tha se që nga pushtimi rus, Ukraina ka eksportuar 4 milionë tonë drithëra dhe farëra vajore, krahasuar me një parashikim të paraluftës midis 5 dhe 6 milionë tonë. /koha

Related posts

Kina kritikon kufizimet e udhëtimit për udhëtarët kinezë

admin

200 000 rusë vërshojnë drejt ish-republikës sovjetike

admin

Evakuohen 7 shkolla në Shkup, sërish alarme për bomba

admin