RTV AHIRETI
LajmeLajmetRajon dhe Botë

Çavuşoğlu: Turqia i ofroi Armenisë të ishte nikoqir i raundit të parë të bisedimeve të normalizimit

cavusoglu:-turqia-i-ofroi-armenise-te-ishte-nikoqir-i-raundit-te-pare-te-bisedimeve-te-normalizimit

Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiye-s (Turqisë), Mevlüt Çavuşoğlu, tha se vendi i tij i kishte ofruar Armenisë që të jetë nikoqir i raundit të parë të bisedimeve të normalizimit midis dy vendeve në kryeqytetin armen Jerevan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne i bëmë një ofertë Armenisë, duke thënë se mund të kemi takimin e parë në Jerevan, por Armenia nuk është ende gati për këtë për shkak të presionit të brendshëm”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media të ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të Türkiye-s dhe Austrisë në Ankara.

Çavuşoğlu tha se diaspora armene ishte e ndarë për procesin e normalizimit turko-armen, duke shtuar se kishte disa protesta nga grupet ekstremiste në rrugët armene.

“Falënderojmë Austrinë (që ishte nikoqir i bisedimeve të normalizimit), por pse të mos mbahen takimet e radhës në Türkiye apo Armeni?” pyeti ai.

Kryediplomati turk gjithashtu përsëriti se vendi i tij është në konsultim me Azerbajxhanin në çdo fazë në lidhje me procesin e normalizimit.

“Në fund të fundit, ne duam të vazhdojmë procesin gradualisht”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar: “Nga ana tjetër, ne mbështesim normalizimin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit”.

Të dërguarit e Türkiye-s dhe Armenisë për normalizimin e marrëdhënieve të premten mbajtën takimin e tyre të katërt në Vjenë, në të cilin ranë dakord të hapin kufirin tokësor midis dy vendeve për qytetarët e vendeve të treta “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Raundi i parë i bisedimeve të normalizimit u mbajt në Moskë më 14 janar, ku të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë negociatat pa asnjë parakusht, sipas një deklarate të MPJ-së turke të lëshuar pas takimit.

Të dërguarit e të dyja palëve u takuan për herë të dytë në Vjenë më 24 shkurt dhe takimi i tretë u mbajt më 3 maj në të njëjtin qytet.

Gjithashtu, në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalya më 12 mars u zhvillua një takim historik dypalësh mes ministrave të Jashtëm të Türkiye-s dhe Armenisë.

Si pjesë e përpjekjeve, Türkiye dhe Armenia kanë rifilluar gjithashtu fluturimet komerciale që nga 2 shkurti pas një ndërprerjeje dyvjeçare.

Related posts

Shqipëria me rekord të vizitorëve

admin

Fajon kërkon që Kosova dhe Serbia t’i nisin negociatat për propozimin franko-gjerman

admin

Çdo i shtati pensionist në Zvicër jeton në varfëri

admin