RTV AHIRETI
LajmeLajmetRajon dhe Botë

BeH, Qendra Memoriale në Potoçari do t’i ruajë eshtrat e viktimave të panjohura

beh,-qendra-memoriale-ne-potocari-do-t’i-ruaje-eshtrat-e-viktimave-te-panjohura

Eshtrat e rreth 90 viktimave të gjenocidit të kryer në zonën e Srebrenicës në verën e vitit 1995, të cilat nuk mund të identifikohen, mund të transferohen përgjithmonë në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës – Potoçari, konfirmoi për Anadolu Agency (AA) Almasa Salihoviç, zëdhënëse e Qendrës Memoriale në Potoçari të Srebrenicës.

Javën e kaluar, Qendra Përkujtimore, gjegjësisht përfaqësuesit e Qendrës Memoriale të kryesuar nga drejtori Emir Suljagiç, mbajtën takim me përfaqësues të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Prokurorisë së Kantonit të Tuzllës dhe Institutit për Persona të Zhdukur të BeH-së.

Salihoviç tha se është diskutuar për dorëzimin e eshtrave të personave të cilët nuk ka kush t’i varrosë në mënyrë dinjitoze. Bëhet fjalë për mbetjet që gjenden prej vitesh në thasë të zinj në raftet e morgut dhe mostrat e të cilave nuk përputhen.

“Qendra përkujtimore ka kërkuar që këto eshtra të ruhen në dhomën e eshtrave që do të ndërtohet për këto nevoja në periudhën e ardhshme. Kjo do të jetë në objektin që në atë periudhë quhej ‘Hotel i Kaltër’ dhe që përdorej nga ushtarët e batalionit holandez. Ajo është sallë betoni dhe në të do të vendosen arkivolet që sillen para varrimit kolektiv. Këto dhoma do të përshtaten për këto nevoja. Synimi ynë është që këto eshtra të mos gjenden diku tjetër nëpër thasë. Qëllimi ynë është ta restaurojmë këtë objekt, të jetë adekuat për t’i ruajtur këto eshtra”, tha Salihoviç.

Sipas saj, më e rëndësishmja është që mbetjet të jenë aty ku duhet dhe jo në raftet e morgut ku ndodhen prej vitesh.

“Nuk mund t’i varrosim. Nuk ka kush t’i identifikojë, por të paktën do të jenë në vendin ku janë dhe të tjerët. Tani për tani bëhet fjalë për 90 persona. Ka eshtra nga të cilat nuk mund të nxirret ADN-ja. Por, ka edhe nga ata, të afërmit e të cilëve nuk janë në mesin e të gjallëve, kështu që nuk kishte kush të jepte mostra gjaku kur u morën”, shtoi Salihoviç.

Related posts

Scholz: Lidhjet midis puçistëve dhe partisë së ekstremit të djathtë të jashtëzakonshme

admin

Studentët nga Kosova po realizojnë një vizitë kulturore në Stamboll dhe Bursa të Turqisë

admin

Komisionerja e OKB-së reagon ndaj Izraelit për refuzimin e vizave

admin