RTV AHIRETI
LajmeLajmetRajon dhe Botë

27 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, babai do të varroset pranë dy djemve të tij

27-vjet-pas-gjenocidit-te-srebrenices,-babai-do-te-varroset-prane-dy-djemve-te-tij

Eshtrat e një babai boshnjak, të gjetura në dy varre të ndara, të hënën në një ceremoni përkujtimore do të varrosen pranë dy djemve të tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Eshtrat e Salçin Sinanoviq-it u gjetën në dy varre të ndara 27 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, masakrës më të rëndë të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Djemtë, Senad dhe Sadik Sinanoviq, po ashtu ishin viktima të gjenocidit ku u vranë mbi 8 mijë civilë boshnjakë nga serbët më 11 korrik të vitit 1995.

Duke folur për AA, Mirsad Sinanoviq, një nga djemtë e mbijetuar, tha se vëllezërit e tij ishin 26 dhe 19 vjeç kur u vranë në gjenocid. Ai njoftoi se vëllezërit e tij u varrosën në vitin 2012 pasi eshtrat e tyre u gjetën në varrë masive.

Duke rrëfyer ngjarjet e ditës fatale, Mirsadi tha se ata jetonin në fshatin Urisiqi, 35 kilometra nga Srebrenica, zona e sigurt e Kombeve të Bashkuar (OKB). Për t’iu shpëtuar sulmeve të serbëve, Mirsadi u nis me të atin dhe dy vëllezërit në zonën e sigurt.

“Po lëviznim në një drejtim të panjohur në pyll. Kishte mijëra njerëz dhe të gjithë po përpiqeshin të arratisen nga zona. Papritur, dëgjuam një zë që thoshte ‘të armatosur përpara, të paarmatosur mbrapa’. Kështu që unë shkova në linjat e para. Babai dhe vëllezërit e mi mbetën pas. Dëgjova se janë kapur”, shpjegoi ai.

Ai tha se i ka mbajtur të sigurta gjërat e babait të tij, të cilat u gjetën nga varri.

“Ai kishte një sens të shkëlqyeshëm humori, ishte një person i qetë dhe me qëllime të mira”, shprehet Mirsadi, duke shtuar se ai ka vetëm një fotografi të babait të tij për ta kujtuar.

“Eshtrat e babit tim, çakmaku i tij, mjetet për rruajtje dhe rrobat po ashtu u hoqën nga varri masiv. Tani kur shoh ato sende, më jep pak qetësi”, shton ai.

50 viktima të tjera të gjenocidit do të varrosen në ceremoninë përkujtimore dhe mortore që do të mbahet më 11 korrik.

– Gjenocidi i Srebrenicës

Në korrik të vitit 1995, Srebrenica u rrethua nga forcat serbe që po përpiqeshin t’u merrnin territorin muslimanëve boshnjakë dhe kroatëve për të formuar një shtet.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e shpalli Srebrenicën një “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mladiq, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën e OKB-së.

Trupat holandeze dështuan të veprojnë pasi forcat serbe pushtuan zonën, duke vrarë 2 mijë burra dhe djem në një ditë të vetme, përkatësisht më 11 korrik.

Rreth 15 mijë boshnjakë u larguan në malet përreth, por trupat serbe gjuajtën dhe vranë 6 mijë të tjerë.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi se në Srebrenicë është kryer gjenocid.

Më 8 qershor të vitit 2021, gjyqtarët e gjykatës së OKB-së në një gjykim të shkallës së dytë dënuan Mlladiq-in me burgim të përjetshëm.

Related posts

Gjukanoviq: Mali i Zi në krizë të thellë institucionale dhe politike

admin

Shqipëria nis eksportin e mishit në Arabi Saudite

admin

Kina bën thirrje për zgjidhje me dy shtete dhe uljen e tensioneve në Palestinë

rezart morina