RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmetShëndetësi

Fluksi i rasteve me diarre dhe vjellje mbingarkon Pediatrinë

fluksi-i-rasteve-me-diarre-dhe-vjellje-mbingarkon-pediatrine

Fluksi i shtuar i fëmijëve të hospitalizuar me diarre dhe vjellje është duke e mbingarkuar Klinikën e Pediatrisë. Në këtë Klinikë, krahas numrit të madh të fëmijëve me këto simptome, është rritur edhe numri i të hospitalizuarve me Covid-19
20 fëmijë janë të hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë, shkaku i barkqitjes e vjelljes.

Numri i fëmijëve që po paraqiten me këto simptoma është në rritje, bëjnë të ditur në këtë klinikë.

Pediatrja Shqipe Kabashi, ndër arsyet përmend edhe rritjen e temperaturave.

“Tash dihet, është sezoni i verës, janë temperaturat e larta, tubimet e njerëzve, fluksi më i madh i njerëzve, qëndrimi nëpër pishina, më shumë edhe për këtë është rritur numri”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mosha deri në 3 vjet është më e prekur, tek shton se mbingarkimi i Klinikës së Pediatrisë në QKUK, vjen edhe si pasojë e mostrajtimit të duhur nga kujdesi primar shëndetësor.

“Shërbimet primare shumë pak po merren me fëmijët, nuk këshillojnë si duhet edhe fëmijët që janë me barkqitje. Ata menjëherë udhëzohen për në qendrën terciare dhe këtu numri i fëmijëve është rritur, kështu që detyrohemi me i futë nga dy-tre fëmijë me një shtrat, për shkak të kapacitetit të vogël të shtretërve e numrit të madh të fëmijëve”, është shprehur ajo.

Ditët e fundit është rritur edhe numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë, ndërkohë që numër më të lartë të të hospitalizuarve krahasuar me muajt e kaluar ka edhe Pediatria.

“Ditët e fundit është shtuar edhe numri i fëmijëve me COVID. Janë si simptomë shoqëruese edhe vjelljet dhe barkqitjet, ndërkohë edhe me temperaturë, kështu që e kemi rihapur repartin e COVID-it”, ka thënë pediatrja Kabashi.

Në Klinikën e Pediatrisë për aktualisht janë duke u trajtuar nëntë fëmijë me COVID-19.

Shtimin e rasteve me diarre dhe vjellje te fëmijët e kanë theksuar edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familje në Prishtinë.

Related posts

Nisen 6 anije të tjera me grurë nga Ukraina

admin

A mund ta mbrojë hudhra vërtet zemrën?

admin

Si po depërton mikroplastika në ushqimin që konsumojmë?

admin